Shop

Ratings & Reviews

Log in to review this item
2 People Reviewed This Product
  • By Media
    Oct 20, 2010
    STANDARDE BASHKËKOHORE MË TË PËRPARUARA EDHE NË KRITIKËN LETRARE SHQIPTARE Prof. Dr. Zyhdi DERVISHI Përgjatë qindvjeçarit të fundit kritika për letrat në gjuhën shqipe ka pasur, si të thuash, statusin e padëshiruar të njerkës, e cila herë pas here është shtrënguar të luajë role përtej letrares: është konceptuar ose formatuar si sulm vetjak ndaj shkrimtarëve ose poetëve, është shndërruar gati në një censurë me profil ideologjik e politik të theksuar ose është shndërruar në një distributor që emeton një inflacion të shumëfishuar lëvdatash deri në caqet e absurdit për çdo material të shkruar të vetëparaqitur shkruesit si letërsi. Këto mund të konsiderohen tri segmentet kryesore të trajektores që ka... More > përshkruar ecuria e pjesës më të madhe të formacioneve të kritikës letrare deri në ditët tona. Por, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit vihen re shmangie, ndonëse fare të pakta, nga një trajektore e tillë me profil tipik ballkanik e imponues totalitar. Dhe një nga librat më të rëndësishëm që është formatuar sipas kritereve të një paradigme të re bashkëkohore është pjesa e parë e librit “Kritika ndryshe: Vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare”, e cila është vënë në qarkullim shkencor kohët e fundit nga Shtëpia Botuese “Arbëria”. Autori i këtij libri, shkrimtari, kritiku, kineasti, pedagogu e studiuesi i letrave shqipe Fatmir Terziu i qaset shqyrtimit analitik të proceseve, dukurive e risive letrare në gjuhën shqipe kryesisht të dy dhjetëvjeçarëve të fundit, duke u bazuar në përvojën teorike dhe trajtimet empirike analoge të vendeve më të përparuara të Perëndimit. Sapo shfleton faqet e para të këtij libri bindesh se autori njeh dhe përdor me zhdërvjelltësi e saktësi strukturat konceptuale bashkëkohore që shërbejnë si instrumente qëmtimi dhe shqyrtimi analitik të dukurive e risive letrare në prozë dhe në krijimtarinë poetike 1. Një digresion me pikësynime qartësuese Në vitet ’20, dhe sidomos në vitet ’30 të shekullit XX, ka pasur përpjekje të suksesshme për standardet e asaj kohe, për të themeluar dhe konsoliduar kritikën letrare në hapësirat shqiptare. Përpjekje të tilla themelvënëse u mishëruan në artikujt studimore, që herë-herë merrnin trajtën e punimeve monografike, të botuara nga shkrimtare, poetë, gazetarë e studiues si Gjergj Fishta, Dhimitër Pasko, Branko Merxhani, Vangjel Koça etj. Vend të veçantë në mendimin kritiko-letrar të atyre viteve zënë punimet teorikisht më të argumentuara të Dr. Krist Malokit. Në vitet ’30 të shekullit XX elita krijuese letrare në hapësirat shqiptare ishte relativisht e kufizuar. Në këtë mjedis kritika letrare funksiononte si një dukuri gati e personalizuar. Edhe për këtë arsye shqyrtimet kritike u interpretuan nga opinioni publik letrar mjaft i kufizuar si parapëlqime vetjake ose si sulme inatçore ndërvetjake. Përgjatë periudhës së regjimit socialist totalitar (1945-1990), si rrjedhojë e dukurisë së huj-it, pjesa më e madhe e krijimtarisë letrare e viteve ’20 dhe ’30 u ekskomunikua si e papërputhshme me kërkesat dhe kriteret e ideologjisë zyrtare marksiste-leniniste ose si rrjedhojë e qëndrimeve politike joprokomuniste të autorëve që e krijuan atë. Bashkë me ekskomunikimin e kësaj pjese të veprimtarisë letrare u ekskomunikuan edhe artikujt e studimet analitiko-kritike që e shqyrtonin atë, madje edhe pjesë të letërsisë që nuk e pësoi këtë fat. Pas Luftës së Dytë Botërore strukturat përkatëse të regjimit socialist totalitar imponuan parimet e metodës së realizimit socialist si shtylla ideopolitike, mbi të cilat do të ngrihej pjesa më e madhe e krijimtarisë letrare e artistike deri në fund të vitit 1990. Parimet e metodës dogmatike të realizmit socialist nuk mund të mos zgjateshin si metastaza edhe në sferën e kritikës letrare, e cila në të shumtën e rasteve u shndërrua, si të thuash në gardianë që përpiqej të ruante “pastërtinë ideologjike marksiste-leniniste të veprave letrare e artistike”, “të hetonte përputhshmërinë e përmbajtjes ideore të veprave letrare e artistike me parimet e doktrinës marksiste-leniniste” (Dokumente kryesore të PPSH IV, 1978:362-363) etj. Jo rrallë fragmente të kësaj lloj kritike letrare e artistike janë përdorur si dëshmi në gjyqet politike kundër poetëve, shkrimtarëve ose artistëve, të cilët konsideroheshin të ndikuar nga shfaqjet ideologjike borgjeze e revizioniste dhe që shpalleshin armiq të regjimit komunist. Pa dyshim, edhe fakte të tilla nuk mund të mos e frenonin zhvillimin e mendimit kritik për çështje të letërsisë dhe të arteve. Ishin fare të pakët artikujt kritikë që shqyrtonin me përparësi aspektet artistike, të figuracionit të veprave letrare, ndoshta edhe për mungesë profesionalizmi. Gjatë viteve të regjimit socialist totalitar u botua, ndoshta, vetëm një punim monografik për çështje të metrikës së vargjeve të poetëve shqiptarë. Pjesa më e madhe e kësaj monografie me titull “Vëzhgime metrike” (1980, 270 faqe) e shkruar nga shkrimtari dhe studiuesi Gjergj Zheji shqyrtonte veçoritë e vargëzimit të poetëve të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe më pak hapësirë u kushtonte poezive të krijuar prej poetëve bashkëkohës. Në krahasim me vendet e tjera ish-socialiste të Lindjes, regjimi socialist totalitar në Shqipëri ushtroi sistematikisht masa më denigruese kundër shkrimtarëve disidentë dhe krijimtarisë së tyre. Pak vepra, që nga regjimi karakterizoheshin disidente arritën të shohin dritën e botimit në vendin tonë. Kritika letrare e orientuar nga parimet e ideologjisë marksiste-leniniste anatemoi jo vetëm ato pak vepra disidente të botuara, por edhe veprat e pabotuara që ishin paraqitur në redaksitë e shtëpisë botuese, të gazetave, të revistave ose në konkurse letrare që organizoheshin kryesisht me rastin e përvjetorëve të themelimit të Partisë së Punës të Shqipërisë ose të çlirimit të vendit nga ushtritë nazi-fashiste. Pas shpërbërjes së rendit socialist totalitar një “polifoni” zërash trajtuan problematikën e disidencës shqiptare letraro-artistike. Veçse përgjithësisht në rrafshe ideologjike, politike e shoqërore, duke anashkaluar profilet artistike. 2. “Kritika ndryshe” – një kurs bashkëkohor në trazirat E kritikës letrare shqiptare Në librin “Kritika ndryshe” ofrohet një qasje krejt origjinale ndaj dukurisë së disidencës letraro-artistike në Republikën e Shqipërisë përgjatë periudhës së regjimit totalitar. Terziu argumenton se shkrimtarë të spikatur në dy dhjetëvjeçarët e parë pas Luftës së Dytë Botërore si Mehmet Myftiu, Veli Islami etj., të cilët në rininë e tyre të hershme si idealistë të kulluar përkrahën botëkuptimin dhe lëvizjen komuniste, në rrjedhën e viteve kaluan në pozitat e kundërkomunizmit, duke u nisur jo thjesht nga kritere ideopolitike, por, para së gjithash, duke zbuluar dhe duke denoncuar natyrën antihumane të kësaj doktrine ideologjike. Madje sipas tij, ëndrra e humanizimit të shoqërisë i ka nxitur edhe shkrimtarët e artistët shqiptarë disidentë të afrohen me kriteret e realizimit të krijimtarisë letraro-artistike moderne. Mehmet Myftiu dhe Veli Islami, arsyeton Fatmir Terziu, u përfshinë “në plejadën e krijuesve me kokrra (këtu në kuptimin vlera – Z.D.) të asaj kohe që zotëruan modernizmin. Ndërsa koha solli në skenë inskenime krijuesish, për shumë kohë, këta emra që kishin në dorë mrekullinë krijuese, u flakën dhe u harruan. Harrimi për veprën e tyre ishte krim i kohës, por edhe i kohërave, pasi ata u sfiduan nga dhuna komuniste e kohës, për të ndërprerë krijimtarinë e tyre në moshën e tyre më prodhimtare” (2009:41-42). Dhe duke i imponuar dhunshëm atrofizimin e skajshëm të përmasës moderne, pjesa më e madhe e letërsisë shqipe nuk mund të mos pësonte kontraktime, paraliza problematike, mjaft prej të cilave ende nuk janë shëruar. Libri “Kritika ndryshe” fillon me një shqyrtim analitik të termave modernizëm dhe pasmodernizëm, të cilët janë ndër termat më të debatueshëm përgjatë 5 dhjetëvjeçarëve të fundit, jo vetëm në qarqet e mendimtarëve në fushën sociologjike, historike e filozofike, por edhe në ato letrare, artistike e arkitekturore. Diskutime të tilla janë orientuar nga dijet më vizionare të përpunuara nga studiues me autoritet të përbotshëm në fushë të sociologjisë, të filozofisë dhe veçanërisht të studimeve social-artistike si Daniel Bell, Peter Berger, Jurgen Habermas etj. Si profesionist mjaft i kualifikuar Fatmir Terziu nuk endet në kthinat e arsyetimeve përgjithësuese për modernizimin dhe pasmodernizmin, por zbret në terrenin e analizave konkrete në fushë të letërsisë. Madje, duke u bazuar në mendimet e studiuesve më të afirmuar perëndimorë në problematikën e pasmodernizmit në letërsi autori i këtij libri skicon një profil pasmodernizmit përmes shqyrtimit të veprimtarisë krijuese të shkrimtarit bashkëkohës Robert Lawrence Stine. Ndër të tjera, Terziu shkruan: “Pse ky autor i suksesshëm quhet postmodern? Librat e tij “Goosebumps” (Mornica) janë më shumë se libra, thonë akademikët e fushës letrare. Ato janë produkte të kulturës popullore, të transformuar me stilin personal dhe me mjeshtri në stilin e komunikimit modern. Nga një i panjohur, thjesht me një dëshirë për të shkruar, Stine arriti të bëhet shkrimtari që nënshkruan pragun e suksesit, atë të ndryshimit të rrjedhave historike në teorinë e të shkruarit dhe të treguarit. Por ajo që jep më shumë ide për modelin e këtij autori në lidhje me postmodernizmin është studimi i Angela McRrobie tek “Postmodernizmi dhe kultura popullore” (1994). McRobbie e sheh postmodernizmin tek kuptimi i tij ndryshe nga ‘stili tradicional’. Kjo sipas saj dhe krijimtarisë së Stine lidhet me shumë faktorë lidhës, ku midis të tjerave janë kultura rinore, stilet e dorës së dytë, subkulturat e mjaft gjëra të tjera që duan përkushtim të veçantë për t’i sqaruar” (2009:10-11). Një përcaktim i tillë kompleks, por i paraqitur në trajtë të thjeshtë dëshmon se Terziu njeh në detaje e në thellësi dukurinë shumëpërmasore të pasmondernizmit, të formatuar në fushën e letrave në vendet më të urbanizuara të Perëndimit. Duke punuar si pedagog në universitete të kryemetropolit britanik, Londër dhe si ndërmjetës midis kulturës angleze dhe asaj amtare, shkrimtari dhe studiuesi Fatmir Terziu ka kultivuar deri në perfeksion aftësitë për analiza krahasimore ndërmjet prirjeve kryesore të zhvillimit të letërsisë në vendet perëndimore dhe atyre në letërsinë shqipe. Përgjatë periudhës së regjimit socialist totalitar rritja e shkallës së izolimit, të vetizolimit politik, ekonomik, artistik e shkencor të Republikës së Shqipërisë nuk mund të mos reflektohej si deformim, si prapambetje në rrjedhat e zhvillimeve moderne dhe pasmoderne. Pas rrëzimit të mureve të izolimit dhe vetizolimit, që në fillim të viteve ’90 të shekullit XX edhe në fushën e letrave shqipe filluan të fryjnë korrentet, rrymat letrare moderne e pasmoderne, duke krijuar një tablo ndikimesh mikste, të cilën Terziu e karakterizon me penelata profesionale: “… postmodernizmi, ose, më saktë e shkurt, ai mund të quhet ndryshe edhe “postemodernizmi i vonuar shqiptar”. Në fakt, postmodernizmi vjen si i tillë në mjedisin kulturor shqiptar, si një term, por, për disa duket si diçka e re. Fjala “postmodernizëm” nënkupton shumë gjëra te shumë njerëz. Për disa përshkruan stilin personal; për disa të tjerë, një teori thjesht të shoqërisë që përfaqësojnë në lëmin e tyre, një filozofi të rëndësisë njerëzore në disa raste edhe të kundërtën e saj), një epokë historike, një fazë të zhvillimeve kapitaliste, (sigurisht në tranzicionin e gjithanshëm shqiptar), ose një ndjesi të prezencës personale në një botë të kuptimeve dhe kënaqësive sintetike” (2009:2007). Ky përcaktim përgjithësues, i formuluar me natyrshmëri, ndriçon profilet kryesore të postmodernizmit në tërësi në realitetin shqiptar të ditëve tona dhe veçanërisht në rrafshin shoqëror dhe artistik. 3. … në fokus të vëmendjes edhe mendimet e të tjerëve Në analizën e dukurive letrare Fatmir Terziu harmonizon natyrshëm koncepsionet e pikëvështrimet teorike të studiuesve e shkrimtarëve të vendeve të tjera me ato të autorëve shqiptarë si Klara Kodra, Bardhyl Londo, Anton Nikë Berisha, Teodor Laço, Namik Selmani, Vaid Hyzoti, Agim Pepa, Faruk Myrtaj etj. Si të gjithë studiuesit me formatin më të kompletuar të vetëdijes profesionale dhe të përkushtimit për studime cilësore sa më të argumentuara, Terziu herë pas here në faqet e këtij libri thekson se çështje të caktuara i ka rishikuar, thelluar dhe riinterpretuar. Reagimi i një miku të tij, pohon Terziu me çiltërsi të fisme, që ia ngre kuotat e dinjitetit profesional vetjak në nivelet më të epërme, “më detyroi të rrëmoj” më shumë e më thellë në të dy anët e krijimtarisë së Nase Janit” (2009:83). Reflektimi sistematik ndaj mendimeve të të tjerëve, si një aspekt i rëndësishëm i metodës së punës studimore, i ka dhënë mundësi autorit të këtij libri jo vetëm ta depërtojë më në thellësi sondën e analizave teorike, por edhe ta paraqesë “mineralin” analitik të zbuluar me dritën e figuracionit të nevojshëm. Për këtë mjafton të citojmë një fragment ndër mjaft prej tyre që kanë ngarkesë figurative më të spikatur: “Narracioni dhe lëvizja tektonike e karaktereve në tregimin e Kullës është një tufë “mërgimtare” mendimesh që evoluon në një togfjalësh filozofik e tepër tërheqës. Kjo tufë tipike mjetesh stilistikore e Kullës, e dominuar nga narracioni, në fakt administron gjithë përmbajtjen e saj treguese, duke i mbajtur ata në një trak (kanal) të krijuar bukur dhe të krijuar për t’u kapur lehtë nga çdo diagram i lëvizshëm, që i shikon karakteret e tregimit të lidhura në realitetin e jetës…” (2009: 55-56). Edhe ngarkesa figurative me masën e duhur ia rrit fuqinë magnetike tërheqëse këtij libri për një rreth të gjerë lexuesish, jo thjeshtë për ata që libra të tillë i kanë brenda sferës së interesimeve profesionale. 4. Kah letërsia diturake Suprimimi i përshkallëzuar i barrierave të shumëfishta ideopolitike, burokratike, tekniko-ekonomike etj., që në fillim të viteve ’90 të shekullit XX nuk mund të mos shoqërohej me vërshimin e një batice botimesh letrare të arrira, por edhe jocilësore e deri vulgare. Përkundër një letërsie të mëparshme “të situr” në mënyrë të shumëfishtë, çka e çonte atë deri në gjendje anemie artistike, u ngrit kulti i krijimeve letrare spontane, naive e të niveleve më të ulëta intelektuale që dashur pa dashur, himnizonin padijen, injorancën. Në biseda që gjallojnë jo vetëm në kafenetë e shumta e të zhurmshme, por edhe ekranet e televizioneve ose mikrofonat e radiove kombëtare, shfaqen herë pas here poetë e shkrimtarë që nuk kanë kurrfarë njohurish nga filozofia, sociologjia, për të mos përmendur arritjet në fushat e biologjisë, astrofizikës dhe aq më keq kur vetëmburren se nuk njohin ekonominë ose kanë alergji nga matematika, se nuk dimë asgjë për ligjet e fizikës ose reaksionet kimike etj. Vetëmburrje të tilla nuk mund të mos ngjallin keqardhje, bezdi e deri neveri kur i kontekstualizon në sfondin e njohurive të gjera që zotëronin dhe zotërojnë kolosët e letërsisë botërore: Balzaku njihte ekonominë aq në detaje saqë mjaft studiues të ekonomisë i referohen më dendur veprave të tij se veprave të ekonomistëve bashkëkohës me të; Dostojevski njihte dhe ka përshkruar deri në imtësi mjaft kthina të proceseve psikike të njerëzve aq sa jo rrallë analiza të tilla i kanë paraprirë interpretimeve shkencore të realizuara disa dhjetëvjeçare pas vdekjes biologjike të Dostojevskit; ose shkrimtarë e poetë bashkëkohës dëshmojnë njohuritë e tyre të kompletuara në fushën e fizikës përmes përshkrimeve edhe profesionale të nuancuara në imtësi të dritë-hijeve të objekteve të përmasave të ndryshme ose përmes përshkrimit të përllogaritjeve të ndryshme tekniko-matematike të ndërtimit të veprimeve të mëdha inxhinierike; mjafton të vëmë në dukje se romanet e Umberto Eco-s, përveç vlerave artistike të një cilësie të veçantë, funksionojnë, si të thuash, edhe si universitete njohurish të thella në disa fusha, veçanërisht në ato shoqërore, semiotike, fetare etj. Edhe ndër shkrimtarët shqiptarë, sidomos të qindvjeçarit të fundit, ka jo pak eruditë si Faik Konica, Gjergj Fishta, Fan S. Noli, Ernest Koliqi, Ismail Kadare etj. Natyrisht, profile të tilla diturake nuk përbëjnë thelbin e veprës letrare, por pa to vepra letrare nuk mund të jetë e tillë. Duke ballafaquar këto dy përvoja krijuese, kombëtare dhe evropianoperëndimore, Fatmir Terziu rekomandon si etalon arritjesh të prozës me “metrazh” të shkurtër tregimet e shkrimtarit Naum Prifti që fokusojnë një spektër dritë-dijesh të shumëllojshme. “Naum Prifti – nënvizon Terziu – sjell një model në tregimin shqiptar. Një model që shënohet në tërë kompleksin, në tërë logjistikën e duhur që kërkon një godinë që strehon një mal me figura letrare dhe një gamë të madhe fjalësh, të cilat herë-herë, janë një fjalor më vete, një fjalor enciklopedie dhe kërkimi shkencor në fushën e krijimtarisë shqiptare” (2009:90). Kësisoj, duke i kundërqendruar hapur asaj pjese të letërsisë vulgare që vetëparaqitet si risi vetëm sepse ka profil kundërkomunist, Fatmir Terziu ofron modelin e vërtetë avanguardist të letërsisë që karakterizohet nga dijet eruditeve, nga figuracioni i kompozuar me arkitekturë të ngjeshur dhe nga lidhjet e qenësishme me arritjet më të vyera të trashëgimisë artistike, të përforcuara përmes studimit të saj, po të shpreheshim me fjalët e Jurgen Habermas-it (1994:349-350). Duke përdorur me profesionalizëm lentet e strukturave konceptuale më të përpunuara mbi modernizmin dhe pasmodernizmin, Terziu zbulon edhe lidhjet e qenësishme të arritjeve më të vyera të tregimtarisë shqiptare të ditëve tona jo vetëm me rrjedhat përkatëse të modernitetit, por edhe me nektarin e papërsëritshëm të gurrës rrëfimtare të krijimtarisë folklorike të shqiptarëve. Dhe një lidhje e tillë temperon natyrshëm cilësinë e prozës shqipe më përfaqësuese të ditëve tona dhe njëherazi shërben si “lubrifikant” që lehtëson komunikimin e saj me një rreth më të gjerë lexuesish. “Në tërësinë e së gjithës – argumenton Terziu – proza e Stanit (Lazër – Z. D.) qëndron si një “model Sindorele”, ose një mutacion që shkërmoq përrallën e mençur popullore në detaje të modernes në letërsi. Edhe pse në fakt proza e Lazrit në plan të parë kur nuk ka angazhuar elemente folklorike në strukturën e saj, prapë se prapë ajo mbart në heshtje një dimension logjik që të shpie në udhëtimin imagjinar dhe plot fantazi të realizimit të mesazh-komunikimit” (2009:29). Kësisoj, siç ka argumentuar eseisti dhe esteti bashkëkohës Lyk Ferri, letërsia pasmoderne në ndonjë aspekt është një farë kthimi tek elemente të caktuara të folklorit, njëfarë thjeshtësimi që pikësynon edhe lehtësim të komunikimit vepër arti-artdashës (2002:258). 5. Përherë në kërkim vetëm të “arit” artistik Pjesa më e madhe e analizave të këtij libri e kanë qendrën e rëndesës te krijimtarie letrare më cilësore, e cila realizohet kryesisht nga autorë në moshën e pjekurisë. Si të tillë, mjaft prej tyre i kanë hedhur hapat e parë në rrugën e shumëmundimshme të artit letrar në rrethanat e vështira të regjimit socialist totalitar. Pra, krijimtaria e tyre letrare realizohet në sfondin e dy sistemeve ekonomiko-shoqërore të ndryshme: socialist totalitar dhe demokratik. Kritika letrare e kultivuar në hapësirat shqiptare përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, e cila në mjaft segmente të saj ka rënë, dashur pa dashur, në nivele vulgare të publicistikës politike, është deformuar në mënyrë problematike nga klisheja për ta trajtuar bardhezi krijimtarinë letrare të autorëve të tillë. Kësisoj, çdo vepër letrare e krijuar nën diktaturë eklipsohet artificialisht e përdhunshëm, pavarësisht nga vlerat artistike që ajo bart e përçon. Ndërkohë krijimet e realizuara në atmosferën e zhvillimeve demokratike ndriçohen me prozhektorët e vlerësimeve pozitive superlative edhe kur nuk ngrihen mbi nivelin e mediokritetit ose edhe pluskojnë në pellgun e vulgariteteve të përçudshme. Vlen të theksohet se Fatmir Terziu nuk është infektuar nga një klishe e tillë, e cila si një sëmundje tumorale ka atrofizuar ndjeshëm kritikën letrare të shqiptarëve në vitet e zhvillimeve demokratike. I çliruar nga ankthet e paragjykimeve ideologjike dhe si një “gjeolog” i sprovuar Fatmir Terziu gjurmon mineralin e vërtetë artistik, jo vetëm në dritën e diellit e në regëtimet e hënës, por edhe në terrin e natës. Si të thuash, ai është i pajisur me busullën teorike që e orienton drejt mineralit artistik të çdo kohe dhe kudo që të ndodhet. Çka thamë me këtë paragraf ilustrohet me analizën komplekse të krijimtarisë poetike dhe në prozë të Faruk Myrtajt. “Dikur rinor dhe i dashuruar pas poezisë – nënvizon Terziu – por vetëm për pak kohë, vetëm për pak “dashuri” në nivelin poetik, nëse do të rezervonim një titull që në fillim për njeriun e letrave shqipe, Faruk Myrtaj (2009:108)”. Në regjistrat përkatës të regjimit socialist totalitar Myrtaj kualifikohej si person me “njolla ose me kleçka në biografi”. Ndërkohë që populli shqiptar braktiste regjimin socialist totalitar Myrtaj do të braktiste edhe dashurinë e parë për poezinë. Veçse jo për arsye politike. Ai do të dashurohej dhe do të “martohej” me prozën, me të cilën nuk do të divorcohej më kurrë. Në shqyrtimin e kalimeve të tillë, të disa poetëve dhe shkrimtarëve, Terziu i veçon qartë motivet artistike vetjake nga sfondi i ndryshimeve shoqërore ideologjike e politike. Si në periudhën e regjimit socialist totalitar, ashtu edhe në vitet e zhvillimeve demokratike disa kritikë i kanë përdorur njollat në biografi të shkrimtarëve ose artistëve si letra me vlerë për të çmuar krijimtarinë e tyre: në vitet e sistemit totalitar për ta mrrolur, për ta zhvleftësuar artin e krijuesve që shiheshin me syze të errëta nga regjimi; ndërkohë në vitet e zhvillimeve demokratike njollat në biografi janë konvertuar gati si vlera artistike. Si profesionist i dorës së parë Fatmir Terziu, i shmanget një “tradite” të tillë, shumëvjeçare që përzien prozaizmin e rrethanave ideopolitike me vlerat e mirëfillta letraro-artistike. Ai ndjek rrembat e artit në mermerët më të qëndrueshme të krijimtarisë artistike të çdo autori. Madje shpesh fjalori analitiko-kritik i Terziut hyn në rezonancë fare natyrshëm me ngarkesën artistike magnetike të fjalëve, më të personalizuara artistikisht të veprave që shqyrton me gjithë sistemin e strukturave konceptuale, teorike bashkëkohore. “… tregimi i Myrtajt – arsyeton Terziu – ka prekur atë që ne shpesh synojmë të arrijmë, shtegtojmë të gjejmë hipur penave dhe tastierave, duke ngarkuar e shkarkuar tonelata mendimesh nën një ide, apo mbi disa germa… Kjo formë e tregimit të Myrtajt është … një ëmbëlsirë e shtrenjtë për atë që e njeh botën vizuale, skriptin dhe më tej synon të ndërtojë “storybordin” që është një kompleks vizual dhe ngashërim shpjegues fjalësh. Forma që sjell Myrtaj nuk është një natyrë e tregimit të pleksur në një fillim, mes dhe fund, por një strukturim që pasqyron në heshtje anë të ndryshme të realitetit. Trajta e shkurtër e tij dhe gjuha tregimtare, sidomos fjala e thellë filozofike bëjnë që “Wrong number” të jetë një pasaportë e tregimit shqiptar në botën e gjerë letrare-krijuese që me kohë pret tregime të këtij tipi… Përmes tregimit të Myrtajt ndiqet dinamike e jetës, në strofkën e saj, edhe mes dilemës moshore, edhe mes kompleksit vend-hapësirë-kohë” (2009:118-119). Si në mjaft të tjerë, edhe në këtë rast, analiza jo vetëm zgjerohet, por përfshin në kompleksitetin e saj një tërësi elementesh. Veçanërisht që nga mesi i shekullit XIX deri në ditët tona në letërsinë botërore më të arrirë është rritur pesha specifike e analizave psikologjike gjithnjë më të thelluara e më të sofistikuara. Kjo prirje është e pranishme edhe në letërsinë shqiptare, sidomos pas Luftës së Dytës Dytë Botërore. Ndaj edhe artikujt kritiko-letrar të Terziut përshkohen nga shqyrtime psikoanalitike të thella, të argumentuara, të cilat reflektojnë ndërlidhjet dhe ndryshimet e mendësive të individëve, të grupimeve shoqërore, të shoqërisë në tërësi. 6. Vlerësimi gati individual i artit poetik bashkëkohor dhe “klasicizëm” modern Duke skanuar në imtësi proceset, dukuritë e risitë e krijimtarisë poetike të autorëve shqiptar Terziu nuk mund të mos trajtonte, me përparësi edhe problematikën e haikut, kësaj luleje poetike me rrënjë në realitetin e largët letrar japonez, e cila veçanërisht përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit po rritet edhe në truallin e letrave shqipe. Për haikun në letrat shqipe ka pasur pikëpamje e qëndrime nga më të ndryshme, të cilat luhaten nga skajet e skepticizmit mohues e deri te vlerësimi euforik me shkallë të lartë inflacioni. Ndërsa Terziu i shmanget me profesionalizëm këtyre përfytyrimeve e qëndrimeve subjektiviste. Në këtë terren letrar të ri e të brishtë ai shprehet me terma të saktë kryesisht për çështje aksiale, duke i kundërqëndruar si imitimeve shabllone të haikut japonez, ashtu edhe shmangies pothuajse tërësore nga një model i tillë, Terziu për haikun e lëvruar nga mjaft poetesha dhe poetë shqiptarë, ndër të tjera, argumenton: “Haiku duket se ka një start të mirë… duket në rrugën e tij… Haiku i shkruar nga lëvruesit e zanafillës shqiptare, është disi i ngjashëm me sozinë e tij në kulturat e tjera ku ai lëvrohet sot” (2009:211, 210, 207). Si në shumë të tjera, edhe në këtë çështje, funksionon një kundërthënie e patejkalueshme: origjinaliteti me shpirt poetik shqiptar të spikatur pasuron fizionominë e haikut që po lulëzon në hapësira gjithnjë e më të gjera ndërkulturore, por, nga ana tjetër, një masë ngjashmërie e haikut shqiptar me simotrat e vendeve të tjera është e domosdoshme, për të mos shpërthyer konturet themelore të kësaj forme artistike mjaft interesante, gjeografia e përhapjes së të cilës po zgjerohet me ritme relativisht të shpejta. Faqet e librit “Kritika ndryshe” ndjekin “linjat e veta të veçanta të krijimtarisë poetike” të dhjetëra poetëve shqiptarë. Vlerësimet dhe gjykimet kritike formulohen si ndërthurje e strukturave konceptuale teorike, e fleksibilitetit racional dhe e finesës së temperuar në përvojën poetike shqiptare, tradicionale dhe bashkëkohore. Në një laborator të tillë analizimi, veç të tjerash, evidentohet ajo çka është thelbësore, si të thuash, paradigma artistiko-shpirtërore e krijimtarisë poetike të çdo poeteshe ose poeti që vihet përballë “kameras” së Fatmir Terziut: poezia e Mimoza Ahmetit – moderne por e paçliruar nga ndikimet e dukurisë së hauntologjisë, në kuptimin që i ka dhënë këtij termi filozofik Jacques Derida, si e tashme e ndikuar gjithmonë nga e shkuara, si e tashme që “funksionon” nën hijen e të shkuarës (2009: 247-249); poezia e Luljeta Lleshanakut si poezi e inteligjencës konstruktive radikale që i kundërvihet realitetit të dhunshëm, i cili përpiqet të përdhosë çdo intimitet e vlerë estetike, si poezi që lëviz në një amplitudë të gjerë, nga zhbirilimet më fine në kthinat e shpirtit deri tek imperativët didaktikë (2009: 247, 249); “poeti i kompletuar shqiptar” Vahid Hyzoti vitet e fundit ofron një poezi që me fjolla humori stigmatizon perversitetet “moderne” në komunikimet dhe vetëkomunikimet ndërmjet njerëzve (2009: 281, 282); gërshetimi i metaforës me legjendën përbën një nga profilet imponuese të art-poezisë së Rozi Theoharit (2009: 224-225); poezia e Iliriana Sulkuqit flirton me shpejtësinë e shndërrimeve të shpirtit të njeriut dhe të mentalitetit, si derivat që bashkudhëton me krijimtarinë e saj (2009: 234) etj. Si profesionist i ballit të parë, Terziu peshon, si të thuash, me zigarenë dixhitale të ndjeshmërisë teorike, artistike dhe emocionale çdo vlerë poetike, çdo figuracion e formë origjinale të paraqitjes së vargjeve. Krahas vlerësimeve të tilla të gjera dhe të detajuara, ai çmon në mënyrë të veçantë atë krijimtari poetike, e cila realizohet si kompozim i harmonizuar, deri në caqet e perfeksionit, i tërësisë së elementeve, të “mekanizmave” që formojnë ngrehinën e artit poetik. Si një etalon poezie të tillë Terziu shqyrton atë të Agron Tufës, të këtij “autori të kompletuar më së miri”, e cila është realizuar duke mbajtur parasysh edhe aspektet e mjeshtërisë së interpretimit poetik. “Prej kohës – arsyeton Terziu – më pati tërhequr krijimtaria, mënyra e të shkruarit dhe në veçanti mënyra e prezantimit të poezisë nga Agron Tufa. Them mënyra e prezantimit, sepse sot poezia duket mjaft e ‘populluar’, ndërsa në kuptimin e paraqitjes së saj ajo pak është e dukshme. Është pak e dukshme në kuptimin e saj të vërtetë si poezi, pasi poezia është njohur dhe njihet më së shumti nga gjuha e saj. Agron Tufa është ndër të paktët poetë që e përgatit poezinë në tërë komponentët e saj dhe sjell atë për lexuesin të paraqitshme, e dhuron tek lexuesi si një shportë gjuhësore që bredh viteve dhe këndeve shqiptare për t’u ulur e bëshme në odën e poezisë shqiptare. Poezi e paraqitshme që në gjuhën e Nerudës lidhet me ndërtimin, temën dhe subjektin e poezisë. Në kuptimin bashkëkohor të poezisë kjo lidhet me ekspresionin poetik dhe me përdorimin e gjuhës së veçantë. Në poezinë e Tufës, të dyja këto elemente të rëndësishme flasin qartë (2009:366) Kësisoj Terziu vlerëson në mënyrë të veçantë poezinë që funksionon njëherazi si moderne dh klasike e niveleve cilësore më të arrira. 7. Fjala si art: e përzgjedhur, e zakonshme apo edhe vulgare? Në studimet letrare kanë “funksionuar” dy paradigma kundërthënëse. Njëra ka pasur më shumë përhapje. Sipas saj arti i madh letrar realizohet vetëm me fjalën e zgjedhur, jovulgare. Paradigma tjetër, ndonëse me ndikim më të kufizuar, formulohet si arsyetim se edhe fjalët më vulgare mund të përmbajnë nektar artistik nëse ato përdoren me mjeshtri të lartë në rrethana social-artistike të veçanta, të cilat rrezatojnë mesazhe të fuqishme artistike e shoqërore. Një model artistik etalon i mishërimit të kësaj paradigme të dytë në artin poetik të gjysmës së dytë të shekullit XX mund të konsiderohet poezia me titull një nga fjalët më vulgare “Mu…” (1999:14), të cilën një nga poetët dhe eseistët më të shquar të Gjermanisë dhe më gjerë, Hans Magnus Enzensberger, ka botuar në vëllimin poetik “Mbrojtja e ujqërve” (shqipëruar nga Robert Shvarc). Kjo poezi është një dëshmi artistike gati e përkryer që provon se edhe me “tullat” e fjalëve nga më vulgare krijohet art me fuqi të madhe rrezatimi, induktimi ideoartistik. Në shqyrtimet e tij analitike Fatmir Terziu i ka parasysh këto dy vizione teorike kundërthënëse, por më shumë përqendrohet, si të thuash, në zonën ndërmjetëse të ndërthurjes së tyre. Si eksplorator me pasion dhe përkushtim të shumëfishuar, Terziu e gjurmon dhe e gjen fjalën artistike në ndriçimin e zakonshëm të prozaikes së përditshme, në arkeologjinë shumështresore të kuptimeve dhe nënkuptimeve simbolike, në temperamentin artistik që bartin fjalë të veçanta, qoftë edhe të thjeshta në rrethana të veçanta psikosocialartistike. Ai pikas disa fjalë, të cilat personalizohen aq natyrshëm saqë ato shërbejnë si linja lidhëse të ngrehinës artistike të krijimtarisë së autorëve të ndryshëm, por edhe të jetës e të veprimtarisë në të përditshmen e tyre jashtëletrare. Duke shqyrtuar krijimtarinë e Lazër Stanit, Terziu, ndër të tjera, shkruan: “Stani duket se merr kënaqësi në draftëzimin e romancave moderne, duke pikasur një fjalë domethënëse e tërë argumentprurëse në gjuhën shqipe, fjalën që shpreh shumë me një nënkuptim sa real aq edhe figurativ. Dënesje! Ndërsa ajo gjen vend në prozën e tij, po aq gjen edhe shtratin në tregimin dhe fjalinë e tij: “Provoj të mbyll sytë, të harroj të gjithë pamjet e pashtjelluara që më shfaqen, dua të përqendrohem në një tingull magjik, që ta mbush shpirtin me nostalgji dhe …, por pikërisht atëherë kur janë larguar shumë nëpër atë udhëtim të heshtur e të paformë, dëgjoj dënesje që të këput shpirtin”. Në fjali të tilla një fjalë e tillë që duhet se përmbyll mendimin qetësisht, të bën të krijosh një ndërhyrje të lehtë në iniciativën lidhëse dhe përdoruese të fjalës. Natyrshëm të krijohet më pas një parantezë, ku vërtitet e gjithë kërkesa e pabërë në shërbim të mesazhit” (2009:95-96). Duke zbuluar fjalë të tilla kyçe, me ngarkesë të veçantë emocionale ideoartistike në prozën e poezinë e mjaft prej autorëve të analizuar, Fatmir Terziu, ndër të tjera, vihet edhe në rolin e një didakti mjaft të kualifikuar, që i ndihmon veçanërisht të rinjtë, studentët të rilevojnë më qartë peshën e veçantë të fjalës në komunikimet e shumëllojshme, veçanërisht në komunikimin artistik. 8. Një penelatë përmbylljeje Nëse studimet e artikujt e përfshirë në librin “Kritike ndryshe” do t’i përfytyronim si vargje të një balade ose poemë analitiko-racionale, liriko-dashamirëse e objektivo-vizionare (për hir të së vërtetës mjaft pjesë të këtij libri janë shkruar si proza poetike), të rreshtuar sipas logjikës së akrostikut, do të pohonin me bindje se formohet karakterizim polivalent: “Fillime të mbara, një përparim i vrullshëm i kritikës letrare shqiptare në kursin e ri të përafrimit me standarde më të përparuara të kritikës perëndimore”.< Less
  • By Fatmir Terziu
    Oct 20, 2010
    ANALIZA E VETVETES Prof.dr. Eshref Ymeri Këto ditët e fundit më ra në dorë një libër befasues me titull “Kritika ndryshe: vëzhgime në brendësi të prozës e të poezisë shqiptare. Pjesa e parë), vënë në qarkullim nga Shtëpisë Botuese “Arbëria”, Tiranë 2008-2009. Libri është i ndarë në tre kapituj kryesorë (me shumë nënkapituj): 1. Postmodernizmi, funksioni estetik, arti i fjalës. 2. Natyra e gjerë e kritikës letrare dhe prania e subjektivizmit në të, një tentativë ndryshe në lidhje me bashkëkohoren për të bërë vlerësime mbi veprat letrare. 3. Leximi i kujdesshëm i poezisë, kuadrati gjithpërfshirës i saj në syrin e analizës komplekse bashkëkohore. Libri shoqërohet me një bibliografi të pasur (gati 90 burime) dhe me indeksin e... More > emrave. Autor i këtij studimi kritik mjaft tërheqës, që zë një vëllim prej 400 faqesh, është zoti Fatmir Terziu. Të them të drejtën, e lexova me një frymë, brenda dy ditëve. Kjo për faktin se më joshi tej mase me mënyrën e shtrimit të problemeve rreth kritikës letrare, e cila, në kohën e komunizmit që lamë pas, më shumë e lëndonte autorin, sesa i krijonte qoftë edhe një hapësirë sado të vogël për t’u frymëzuar pë krijime të reja letrare. Se, domosdo, nuk mund të ndodhte ndryshe: krijuesi, qoftë ky poet, shkrimtar apo artist, asokohe “duhej” vlerësuar në përputhje me pasqyrimin vijës së shtetopartisë në veprën e vet. Për të qenë më konkret, po u referohem vlerësimeve që jep me këtë rast një mjeshtër i talentuar i letrave shqipe, zoti Dhori Qirjazi, një poet ky tejet origjinal në letërsinë shqipe, i heshtur si askush në krijimtarinë e vet brilante në shërbin të çështjes kombëtare. Ai shkruan: “…kritiku shqiptar në Maqedoni, Ali Aliu, botoi në Kosovë edhe poezitë e mia të zgjedhura. Duke qenë i pavarur dhe jashtë kufijve të shtetit tonë, ai është shprehur më lirshëm për krijimtarinë time poetike, për të cilën këtu, në Shqipëri, ishte vendosur heshtje dhe një tendencë minimizimi, pasi ishte e ndryshme nga çka shkruanin bashkëkohësit partiakë dhe të politizuar. Megjithatë unë nuk jam shqetësuar kurrë nga kjo heshtje dhe mospërfillje. Ndaj i referohem gjithnjë thënies së popullit se “Fjala është argjend, heshtja është flori”… Gabimi më i madh që u bë ndër ne nga Zyra që përgjigjej për artin dhe kulturën, ka qenë gjithnjë vlerësimi i veprave të autorëve që kishin teserat e partisë në xhep, të nisur nga mendimi i gabuar se “Letërsinë dhe artet i udhëheq gjithmonë partia dhe se në krye të tyre duhet të jetë gjithnjë ajo dhe njerëzit e saj”. Te ky slogan nuk merrej vesh as talenti i gjithkujt, liria e krijimit e të tjera, domosdoshmëri këto që kushtëzonin pavarësinë dhe lirinë absolute të krijimtarisë. Kjo solli dëme të pallogaritshme në zhvillimin e letërsisë dhe të arteve në vendin tonë, duke mënjanuar talentet që u dënuan ose që u trembën, deri në heqje dorë prej aktivitetit të tyre krijues” (Gazeta “Telegraf”, 24 shtator 2009, f. 18). Ky lloj këndvështrimi, në njërën ose tjetrën mënyrë, do t’i linte pasojat e veta edhe në mendësinë e disa kritikëve për t’i parë gjërat bardhezi në vlerësimin e krijimtarisë së autorëve të ndryshëm në periudhën që pasoi pas vendosjes së pluralizmit. Prandaj, zoti Terziu, në studimin e vet, i ka vënë vetes një tjetër qëllim, sa fisnik, aq edhe humanist. Ai pyet: “…a nuk do të ishte më mirë që të bëhej kapja e anëve më të arrira, më pozitive te krijuesi, për të shtuar arsyen në shtysën e krijimtarisë?” (3). Këtë këndvështrim të vetin, që, për mendimin tim, është unikal në një studim shkencor të përmasave të tilla, ai e përcjell edhe përmes optikës së prof. John Lye. Pikërisht ky këndvështrim i ri në lëmin e kritikës letrare përbën edhe thelbin e kritikës ndryshe të zotit Terziu. Të nisesh nga qëllime dashamirëse në vlerësimin e një vepre letrare, do të thotë që të mundohesh të zbulosh në të ato gjëra që ngërthejnë në vetvete vlera më të spikatura, më përgjithësuese, të cilat jo vetëm e frymëzojnë autorin për krijime edhe më të goditura, por edhe e nxitin atë për të qenë edhe me kërkues ndaj vetvetes. Le të përfytyrojmë për një çast se ndodhemi në Panairin e Librit që organizohet çdo vit, vjeshtë për vjeshtë, në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë. Aty, në dy salla të ndryshme, do të bëhet paraqitja e veprës së dy autorëve. Ta zëmë se në sallën e parë, në adresë të autorit x, thuhen fjalët më të mira për veprën që ka shkruar, kurse në sallën e dytë, në adresë të autorit y, lëshohet një breshër fjalësh kritike që e nxijnë krejtësisht veprën e tij. Tani le të përfytyrojmë se cila do të ishte gjendja shpirtërore e këtyre dy autorëve pas largimit nga sallat përkatëse. I pari, me siguri, do ta ndiente veten në kulmin e kënaqësisë, zemra do t’i bëhej behar, njerëzit rreth e rrotull do t’i dukeshën si miq e vëllezër, por ama, diku, në nënvetëdije, ai do të pyeste veten: “po a i meritoja vallë plotësisht të gjitha ato fjalë të mira që u thanë në adresën time?” Pikërisht kjo “vetëpyetje” do ta bënte atë të ishte edhe më kritik ndaj vetvetes, gjë që do të shërbente si stimul edhe për vetëpërsosje. Kurse i dyti do të dilte nga salla me shpirtin zeher, njerëzit rreth e rrotull do t’i dukeshin si jashtëtokësorë, frymëzimi i tij për krijime të reja do të zbriste në kuota shumë të ulëta, për të mos thënë zero. Tek endem në krahët e një përfytyrimi të tillë për këta dy autorë imagjinarë, fillojnë të më vijnë ndër mend ca fjalë të Maksim Gorkit (1868-1936): “Ne, duke i besuar shumë pak njëri-tjetrit, nxjerrin në pah gjithmonë atë çka njeriun e lëndon dhe jemi të paaftë të zbulojmë atë çka e justifikon. Shumë më tepër vëmendje ne ua kushtojmë gjërave të këqija dhe të errëta në qenien e njeriut”. Për kënaqësinë time të pamatë, në “Kritikën ndryshe” të zotit Terziu unë zbuloj “kritikun e sallës së parë” të Panairit të Librit, studiuesin humanist, që, në personin e krijuesit, shikon njeriun e mirë, të cilit, me gjithë zemër, dëshiron t’i gjendet pranë me një fjalë plot frymëzim. Pikërisht një qëndrim të tillë humanist të këtij kritiku të shquar unë dëshiroj ta shikoj edhe në optikën e shkrimtarit skocez Samuel Smajls (Smiles - 1812-1904), propagandistit të vlerave viktoriane, i cili thoshte: “Mjafton veç t’i besojmë njeriut më shumë se ç’i besojmë zakonisht, në mënyrë që të nxjerrim në pah të gjitha anët më të mira të karakterit të tij”. Autori zbërthen shkurtimisht thelbin e postmodernizmit, e kësaj tërësie tendencash në kulturën artistike të gjysmës së dytë të shek. XX, për të cilat është karakteristik pluralizmi parimor i stileve, çka gjen mishërim të plotë në krijimtarinë e shkrimtarit amerikan Robert Laurence Stine. Duke jetuar e punuar gjatë shumë viteve në Perëndim, zoti Terziu vëren se si atje, “ata që shkruajnë ose krijojnë diçka, kanë një vend të caktuar në jetën e komunitetit. Inkurajimi për ta është ligjësi, kulturë, është respekt” (34). Ai nuk bën ballafaqime me realitetet shqiptare lidhur me vendin që u takon dhe vlerësimin që u bëhet aty krijuesve tanë, por ai, me finesën e studiuesit plot kulturë, ia lë në dorë lexuesit të nxjerrë përfundimet e duhura. Madje ai as nuk ankohet për fatin e poezisë në Shqipëri, por veç sa përmend kalimthi një artikull të kahdokohshëm të gazetës “Shekulli” me titull “Bie lexuesi i poezisë” (35). Vetëm kaq thotë kritiku i shquar. Veçse ky konstatim i tij në kalim e sipër, një lexues të vëmendshëm e bën të përsiatë thellë. Të vjen keq që është zhehur interesi i lexuesit për poezinë. Megjithatë, fajin nuk duhet t’ia lëmë në derë lexuesit. Ky duhet edukuar me frymën e dashurisë për poezinë. Në Rusi ka një ditë që quhet dita e poezisë, 26 maji. Kjo ditë përkon pikërisht me ditëlindjen e poetit të madh kombëtar rus Aleksandër Sergejeviç Pushkinit (1799-1837). Gjatë gjithë kësaj dite, njerëzit mblidhen nëpër parqe e lulishte, apo edhe në ajrin e pastër jashtë qyteteve, ku poetë, shkrimtarë, artistë, deri edhe qytetarë të thjeshtë, recitojnë poezi të poetëve më të parapëlqyer rusë, nën shoqërimin e tingujve muzikorë. Pra, dita e poezisë është kthyer në një festë mbarëkombëtare ruse. Por edhe neve s’na ka penguar kush për të pasur ditën tonë të poezisë. A nuk do të ishte fantastike që dita e poezisë shqiptare të përkonte me 25 majin, ditëlindjen e poetit tonë më të madh kombëtar, Naim Frashërit? Dikur ka pas ekzistuar edhe një traditë popullore në ditë festash në vendin tonë. Njerëzit mblidheshin në vendet më piktoreske, ku hanin, pinin, këndonin dhe hidhnin valle. Në këto mjedise madje bëheshin edhe improvizime vargjesh popullore të kënduara me hidh e prit mes dy personave dhe garën e humbiste ai që ngecte në sajimin aty për aty të vargut pasues me rimë. Njëherë, në qershorin e vitit 1950, kur sapo kisha përfunduar klasën e dytë të fillores, në vendlindjen time, në Smokthinë të Vlorës, në vendin e piknikëve që quhet “Shelq”, u zhvillua pikërisht një garë e tillë mes një burri dhe një gruaje për sajimin e vargjeve të rimuara. Ato vargje, edhe tani, kur kanë kaluar 59 vjet, vazhdoj t’i kem të skalitura në kujtesë. Improvizimin e nisi i pari ai burri, ndërkohë që të tjerët rreth e qark hidhnin valle e këndonin, duke përplasur duart herë pas here. Ai: në të zëntë vapa n’udhë / medet, të kthehesh nga unë / je e bardhë e të nxin vapa / si djathi që del nga napa. Ajo: Jo, se kam burrin sëmurë. Ai: në të vdektë, të marr unë / të të bëj m’ergjende shumë. Ajo: unë ergjënde shumë kam / po ti qenke “zabërhan”. Në këto e sipër, burri ngeci dhe garën e fitoi gruaja. Por ç’e do, një tradite të tillë tani i ka mbetur vetëm emri. Por derisa në Shqipëri s’po kujtohet kush për themelimin e ditës së poezisë, meqenëse këtu njerëzit gdhihen dhe ngrysen me infeksionin e politikës “në gojë”, atëherë a nuk do të ishte për t’u përshëndetur një nismë e njerëzve të letrave shqipe në emigracion për themelimin e një dite të tillë të bekuar, e cila, pas reklamimit përkatës atje, të mund të transferohej edhe në atdheun amë? Nuk e di se ç’mendim ka kritiku i nderuar, zoti Terziu, për një sugjerim të tillë. Në skanerin e “Kritikës ndryshe” të zotit Terziu vjen e na shfaqet një aradhe e tërë shkrimtarësh dhe poetësh shqiptarë, të rinj e të moshuar, nga të gjitha trevat shqiptare dhe në emigracion, si Agim Pepa, Agim Shehu, Agron Tufa, Aleko Likaj, Aliana Alien, Ali Podrimja, Andi Meçaj, Anton Nikë Berisha, Anton Paluca, Ardian Kuçuku, Ardita Jatru, Arian Leka, Arqile Gjata, Artian Guskiqi, Bardhyl Mezini, Bajram Sefaj, Beatriçe Balliçi, Dalan Luzaj, Elpiniqi Frashëri, Faruk Myrtaj, Fatime Kulli, Fation Pajo, Fatos Kongoli, Ferit Lamaj, Foto Malo, Flutura Açka, Gjek Marinaj, Hiqmet Meçaj, Hyjni Leka, Ibrahim Abedini, Ilir Levonja, Ilir Theohar Borodani, Iliriana Sulkuqi, Juela Meçani, Jusuf Gërvalla, Kolec Traboini, Lazër Stani, Ledri Kurti, Leon Z. Lekaj, Leonida Ndrenika, Luan Xhuli, Luan Zyka, Luljeta Lleshanaku, Mehmet Myftiu, Mensur Spahiu, Mëhill Velaj, Milianov Kallupi, Mimoza Ahmeti, Namik Selmani, Nase Jani, Naum Prifti, Ndue Lazri, Nexhat Peshkëpia, Nexhip Bashllari, Nexhip Ejupi, Niko Kirka, Novruz Abilekaj, Petraq Risto, Pëllumb Kulla, Primo Shllaku, Qazim Rrushaj, Rajmonda Moisiu (Sade), Ramiz Gjini, Robert Martiko, Roland Gjozaj, Rozi Theohari, Rudian Zekthi, Rustem Geci, Sabri Hamiti, Spiro Gjikondi, Stefan Martiko, Suzana Kuqi, Vahid Hyzoti, Veli Islami, Vlash Fili, larushia e krijimtarisë letrare të të cilëve përbën një visar të çmueshëm në fondin e letërsisë shqipe. Duhet të kesh një durim me të vërtetë balzakian që të arrish të qëmtosh ngjyrat më të ndezura në tablonë krijuese të autorëve të lartpërmendur, durim ky, të cilin kritiku Fatmir Terziu ka arritur ta manifestojë me një këmbëngulje të pakundshoqe. Nuk di nëse ndokush tjetër nga kritikët tanë të ketë arritur të analizojë krijimtarinë poetike edhe të të tilla figurave pak të njohura për dashamirësit e letërsisë shqipe, si Nexhat Peshkëpia, të cilin diktatura e detyroi të largohet nga atdheu me zemër të thyer, apo si Elpiniqi Frashëri. Me sa jam në dijeni, zoti Fatmir Terziu është i pari që analizon me një dashamirësi aq të lakmueshme krijimtarinë poetike të këtyre dy autorëve. Me talentin e tij prej kritiku humanist, zoti Terziu ka arritur të depërtojë me sukses në individualitetin krijues të secilit prej autorëve të lartpërmendur. Në veprat e një krijuesi të talentuar, sado të larmishme që të jenë ato, gjithmonë mund të vëresh diçka të përbashkët që i karakterizon dhe i dallon ato nga veprat e krijuesve të tjerë. Në gjuhën teknike të artit një gjë e tillë quhet botëkuptim i krijuesit. Këndvështrimin që ky ka për botën që na rrethon, që shërben si çelës për vlerësimin e talentit të tij (të krijuesit, pra), kritiku e zbulon në figurat e gjalla që ai (autori) krijon. Kritiku i shquar rus Nikollaj Aleksandroviç Dobrolubov (1836-1861) thotë: “Figurat që krijon artisti, duke grumbulluar në vetvete, si në një fokus, fakte nga jeta reale, ndihmojnë së tepërmi për krijimin dhe përhapjen mes njerëzve të nocioneve të drejta për dukuritë e jetës”. Në këtë mes gjen pikëtakimin me Dobrolubovin edhe biografi i Balzakut, Stefan Cvajg, sipas të cilit “…figurat nuk dalin të gjalla, në qoftë se ato nuk paraqiten në lidhje të drejtpërdrejtë me mjedisin e tyre, me truallin, me peizazhin, në qoftë se nuk janë rrethuar me atmosferën specifike të kohës…”. Dhe kritiku i talentuar Terziu, në skanerin e kritikës së vet, ka arritur të na e shpalos fort bukur botëkuptimin e secilit prej krijuesve të mësipërm, duke u ndalur, domosdo, në gjërat më pikante. Sepse, me nuhatjen e hollë të kritikut humanist, sipas një shprehjeje frazeologjike të gjuhës angleze, he knows on which side his bread is buttered (ai e di ku është e mira). Ajo që më ka bërë shumë përshtypje në analizën kritike të zotit Terziu është fakti se ai, herë-herë, ndalet në ato fragmente të krijimtarisë së autorëve të lartpërmendur që kanë një vlerë përgjithësuese të jashtëzakonshme. Le ta këqyrim këtë në disa shembuj konkretë. Ai citon nga krijimtaria e poetit të mirënjohur Petraq Risto: “Planetët janë krijesa / dhe ne / njerëzit, kafshët, shpendët, peshqit, mizat / jemi thjesht viruse / të lindur / për të ngrënë njëri-tjetrin…” (26). Nga poetesha zemërfisnike Iliriana Sulkuqi: “Po t’i mbledh / ditët e dashurisë / më dalin shumë më pak se një pikë loti… / Po të mbledh / hapësirat e dhembjes / Kam frikë mos më mbytet Globi…” (234). Nga poeti qëmtues i fjalës së rrallë Nexhip Ejupi: “Kam gënjyer / si Nazim Hykmeti… / të vuante më pak / i urti / i drejti… / por, ah, / jetoj / si qyqar… / gënjej / pa qenë gënjeshtar!” (266). Tek lexon këto pak rreshta që përcjellin një domethënie sociale fort të thellë, nuk mund të mos biesh në mendime shpirtdëshpëruese: punët nuk shkojnë bukur mirë në këtë rruzullimin tonë. Varfëria, si një sëmundje ngjitëse, nuk po u shqitet nga jeta miliarda njerëzve. Në këto kushte, a duhet pranuar si e qenë formula, me të cilën njerëzia mbarë është yshtur tash e ca shekuj: “Në këtë botë, e mira gjithmonë ka fituar mbi të keqen?” Këtë formulë, personalisht, e vlerësoj si të dyshimtë. Në rrjedhën e shekujve, sistemet shoqërore kanë pas zëvendësuar njëri-tjetrin. Njerëzit kanë pas përmbysur një sistem të keq, për ta zëvendësuar me një më të mirë. Por ky, demek, i miri, me kalimin e kohës, ka pas pjellë të tjera të këqija jo më pak të rënda, derisa kemi arritur në këtë fazë të zhvillimit shoqëror ku jemi. Sipas statistikave që janë bërë të njohura me kohë e me vakt, 20% e njerëzimit sot ka në zotërim 80% të pasurive botërore. Me këtë rast, më duket se është me shumë vend të citoj një katërvargësh bukur të goditur të shkrimtarit dhe të publicistit të mirënjohur Siri Sulejmani: “Më duhet që t’ju flas hapur, / I padituri ta dijë, / Egoizmi - mbret i botës, / Interesi - bir i tij”. Dihet që njerëzit nuk lindin të barabartë për nga shkalla e intelektit, por kjo nuk do të thotë që mendjepaku të dergjet në varfëri përballë mendjeshumit. Shtetet në botë sa vijnë e po i largohen natyrës sociale, çka kërcënon të sjellë pasoja katastrofike për të ardhmen e njerëzimit. Është kjo arsyeja që kritiku mendjehollë Fatmir Terziu i citon me një mesazh të qartë ato vargjet brilante të të tre krijuesve të talentuar të vendit tonë që unë i ricitova pak më lart. Në një poezi të viteve ’80, Dritëro Agolli ka një varg të tillë, në të cilin, duke iu drejtuar një fshatari, shpreh një urim në adresë të tij: “t’u bëftë guri dele!”. Kurse në një poezi tjetër të po atyre viteve, kur bën fjalë për ca vajza, që janë duke mbledhur fasule në një kooperativë bujqësore, thotë: “mblidhni, vajza, mblidhni, / por kujdes, mos vidhni!”. Mjaftojnë këto tre vargje të poetit të madh, për të arritur në një përfundim të dhimbshëm rreth marrëzisë komuniste shqiptare për tufëzimin e bagëtive në fshat në vitet 1980-1981 dhe për degradimin e sistemit kooperativist, që çoi në një varfërim të skajshëm të fshatarësisë shqiptare dhe që u mbyll me një katastrofë ekonomike kombëtare në fund të viteve ’80. Në një katërvargësh të Ferit Lamaj, që unë e vlerësoj si aristokrat të fabulës shqiptare, bëhet një pohim me vlera universale: “Që së lashti vjen e thëna: / Qengj’ i urtë pi dy nëna. / Po nuk dini më të renë: / Pi servili gjithë kopenë”. Poeti vetëm kaq mund të thotë përmes artit të magjishëm të fjalës. Është kritika ajo që duhet të bëjë përgjithësime dhe të nxjerrë përfundime, duke zbërthyer forcën e mesazhit poetik, të shprehur me një lakonizëm të skajshëm. Këtë detyrë kritiku Fatmir Terziu, në veprën në fjalë, e ka kryer në mënyrën më shembullore. Në analizën që zoti Terziu i bën krijimtarisë së zotit Pëllumb Kulla dhe konkretisht romanit me titull “Vdekja e Enver Hoxhës” hasen dy frazat e mëposhtme “I vdekuri i Kullës nuk është i ndryshëm, por tipik. Ai e ka lënë litarin mbi varr…” (65). Mesazhi i fjalisë së fundit është kaq kuptimplotë, saqë atë mund ta konkretizosh me sa e sa fakte dëshpëruese nga jeta e vendit tonë që mund të zinin vëllime të tëra. Prandaj edhe vendi ynë vazhdon të ecë çalë-çalë, për t’u shkëputur me zor, por një herë e mirë, nga një tranzicion fort i vështirë, të cilin, trashëgimtarët e Enverit, tashmë me mbulojë socialiste, kërkojnë që ai të vazhdojë sa më gjatë. Psikologjinë makutiste që mbizotëron mes trashëgimtarëve të diktatorit në Shqipëri, para do kohësh, e demaskoi hapur fare njëra nga ish-figurat kryesore të pësë-së, zoti Spartak Poçi, i cili deklaroi në televizion: “Jam tmerruar kur nëpër korridoret e Partisë Socialiste kam dëgjuar këto fjalë: të marrim pushtetin që të grabisim shtetin”. Duke analizuar krijimtarinë e Agim Shehut, e këtij poeti të ëndrrave rinore, a autorit të poezisë së magjishme “Dashuria e një matematikani”, që edhe sot e kësaj dite më zgjon një përmallim të ëmbël për vitet e një rinie të perënduar, kritiku Terziu citon pak rreshta nga një pohim fort domethënës i këtij poeti: “Kolegë me emër në art patën dinjitetin të flijoheshin pa i bërë qejfin diktaturës. Për mbijetesë, shumë prej nesh, (secili në shpjegimin e vet), tigrit, për t’ia larguar dhëmbët, i lëmuam lëkurën. Mbetet i hapur gjykimi nëse s’kish rrugë tjetër! Megjithatë lexuesit i duhet kërkuar falje për çdo shkrim që ledhatonte shtetin vrasës. Bukuria e artit harmonizon më hijshëm me bukurinë e karakterit” (212-213). Nuk më është dhënë rasti ta lexoj më parë një pohim të tillë, por më duket se ky është i vetmi pohim i një krijuesi me një stazh gjysmëshekullor në fushën e letrave shqipe që bëhet për herë të parë pas shembjes së diktaturës. Nuk kanë qenë të paktë krijuesit që i kanë pas bërë temena diktatorit shqiptar, më të egrit në mbarë Evropën. Madje ka pasur edhe ndonjë syresh, si puna e zotit Kadare, që, megjithëse në një krijim të vetin pati arritur deri në perëndizimin e atij gjakatari (“Kur midis qiellit të kësaj vjeshte / Fjalët e Enver Hoxhës ndeshin / Bubullimat mënjanohen me nderim!”), pas shembjes së diktaturës, brenda vetes nuk gjeti dot forca për pendesë. Ndonëse zoti Terziu fjalët e sipërcituara të Agim Shehut i jep në formën e një zmbrapsjeje, e një “fluturimi lirik”, nga boshti themelor i kritikës së vet, lexuesi i kujdesshëm e ka të qartë që ai, në një vepër shkencore, i përmend ato veç sa për kujtesë për të gjithë ata krijues që i bënë fresk diktatorit, pa i detyruar kush, por që paskëtaj nuk morën as mundimin më të vogël për pastrimin e ndërgjegjes së vet. Në faqet e “Kritikës ndryshe” për herë të parë mësova se në ca tregime të shkëlqyera të Faruk Myrtaj, të përkthyera në gjuhën angleze nga Përparim Kapllani dhe Arben Kallamata, niveli artistik i origjinalit nuk paska pësuar as firon më të vogël në gjuhën e përkthimit. Menjëherë më erdhën ndër mend fjalët e shkrimtarit të shquar kirkizian Çingiz Ajtmatov (lindur në vitin 1928) që thotë se “përkthyesi është artist, është personalitet”. Do të ishte mirënjohje për këta dy përkthyes të talentuar, nëse dikush nga specialistët e shqipes dhe të anglishtes, sidomos ata që janë profesorë të përkthimit në departamentet e anglishtes të universiteteve shqiptare, t’i analizonin këto përkthime të tregimeve të Faruk Myrtaj dhe të nxirrnin në pah vlerat e formimit shkencor dhe artistik të të dy përkthyesve të lartpërmendur. Po këtu mësova për herë të parë për përkthimin dhe botimin në suedisht në vitin 2003 të një vëllimi poetik të poetit Ibrahim Abedini, si edhe për përkthimin në gjuhën gjermane dhe angleze të poezive të poetit Rustem Geci, i cili, që prej vitit 1995, jeton dhe krijon në Gjermani. Kjo vepër e zotit Fatmir Terziu është një homazh që u bëhet mbarë njerëzve të letrave shqipe, është një nderim i posaçëm për artin e tyre të fjalës. Për të qenë sa më objektiv dhe sa më profesionist, kritiku, siç e pranon edhe vetë zoti Terziu, duhet që të njohë sa më mirë letërsinë kombëtare dhe botërore, të jetë i pajisur me një kulturë të gjerë, të ketë një formim enciklopedik, në mënyrë që të jetë në gjendje të bëjë analiza dhe përqasje me të vërtetë bindëse me krijimtarinë e autorëve vendës dhe të huaj, duke gjetur edhe pikëtakime përkatëse në kendvështrimet e tyre. Mendoj se këto kërkesa zoti Terziu i ka përmbushur me një përkushtim të admirueshëm dhe prandaj ka arritur të vërë në dorën e lexuesve një vepër me nivel të lartë shkencor. Nuk jam në dijeni nëse në Katedrën e Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës jepet ose jo si lëndë e veçantë kritika letrare. Nëse nuk jepet, më duket e padrejtë. Nëse jepet, jam i bindur plotësisht që zoti Fatmir Terziu do të ishte një profesor i shkëlqyer i kësaj lënde me aq autoritet. Por, për fat të keq, po bëhen gati 20 vjet që Shqipëria nuk është e zonja ta ndalojë dot “rrjedhjen e trurit” drejt vendeve të huaja. Prandaj edhe një kritik i tillë “potkonjfarkuar” sot është fat për dikë tjetër dhe jo për vendin tonë. Me punën e palodhshme paraprake që ka përballuar për përgatitjen dhe botimin e kësaj vepre të vëllimshme, zoti Terziu, për mendimin tim, ka manifestuar, para së gjithash, një respekt të thellë ndaj vetvetes, si një intelektual me horizont të gjerë. Në rastin e kundërt, ai nuk do të ishte në gjendje të zinte një pozicion me kaq peshë në lëmin e kritikës letrare. Prandaj më duket me vend të pohoj se vepra “Kritika ndryshe” është skaneri më i pagabueshëm që, ai, jo qëllimisht, i ka bërë vetes. Kësisoj, profesori i kritikës letrare, zoti Fatmir Terziu, ka dhënë shembullin më kuptimplotë për të gjithë ata që dëshirojnë të matin forcat në lëmin e shkencës letrare, të cilët, zanafilltas, duhet të dinë se si pastrohen mirë ahuret e Augjiasit. Kjo ishte edhe arsyeja që këtë shkrim e titullova “Analiza e vetvetes”, duke pasur parasysh edhe fjalët e Stefan Cvajgut për Balzakun, që, me rastin e botimit të “Iluzioneve të humbura”, thotë: “…kjo vepër është analiza më e thellë…që Balzaku i bën vetes”.< Less
Refreshing...
There are no reviews for previous versions of this product
Refreshing...

Product Details

ISBN
9781446119839
Edition
II
Publisher
Lulu
Published
September 30, 2010
Language
Albanian
Pages
492
Binding
Hardcover (dust-jacket)
Interior Ink
Black & white
Weight
1.61 lbs.
Dimensions (inches)
6 wide x 9 tall
Product ID
12925148
Report This Content to Lulu >

Moderation of Questionable Content

Thank you for your interest in helping us moderate questionable content on Lulu. If you need assistance with an order or the publishing process, please contact our support team directly.

How does this content violate the Lulu Membership Agreement?

Keywords

Listed In

More From Fatmir Terziu